Analiza dhe Komente

Studentët e mi të deprimuar

mas

Nga Artan Fuga

artan-fuga

Pse ditën e parë të leksioneve gjej studentë të vitit të parë të deprimuar !

Sepse nga anketa që bëj vetëm 10 deri 15 për qind kanë ardhur në atë degë që e kanë kërkuar.

Sepse nga informacionet e pakta që kanë pasur, e kush u jep gjatë viteve të gjimnazit, kanë iluzione të tjera për atë degë nga ajo që u shpjegon!

Sepse një në dy e ka prindin të papunë dhe tre në katër vijnë nga familje me të ardhura ku rroga mesatare nuk i kalon 250.000 lekët e vjetra. .

Sepse shpenzimet e shkollës dhe të ndenjjes në Tiranë i bëjnë borxhlinj për jetë për prindërit, dhe nisin dietën me bukë e pilaf, dhomat e stërmbushura dhe privimet e qytetit të madh që ta nxjerr lekun nga xhepi me magnet.

Sepse e kanë mësuar që pas shkolle i pret papunësia.

Sepse e dinë që nuk do punësohen sipas meritave të rezultateve në shkollë. Por, sipas mikut, partisë politike që i fton, etj.

Sepse e dinë që duan të ikin pa kthim andej nga kanë ardhur. Braktisin vendlindjen që nuk u jep gjë.

Sepse librat dhe mjetet e tjera që u duhen nuk i blejnë dot, veçse nëse vëllai ikën për azil në Gjermani.

Sepse dijet që kanë marrë në gjimnaz jo për faj të tyre nuk vlejnë pothuajse fare për të kuptuar leksionet e shkollës të lartë.

Sepse shkolla e mesme i nxjerr pa gjuhë të huaj, ndonëse u vendos dhjeta.

Sepse nuk kanë mundësi të kenë lapt-top ose telefon të lidhur me internetin për të marrë dije on line si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Afrikë.

Se dinë që janë aty për të shënuar çfarë u thonë dhe jo të thonë se çfarë mendojnë!

Se nuk kanë asnjë favor si studentë po u sëmurën, poqese duan të udhëtojnë, të shkojne në kinema a teatër.

Se shanset për mobilitet studentor i kanë pothuajse zero, ku nuk shkojnë dot në universitete jashtë për një semestër së paku.

Se po protestuan, dikasteri i quan “armiq të popullit” dhe i neverit!

Se dijet që marrin në shkollë ose nuk gjejnë zbatim në shoqëri, ose shoqëria aplikon parime të kundërta me ato që u mësohen në shkollë.

Se dëgjojnë që pas panaireve të punës del ndonjë buçko i kënaqur, që flet me siguri, dhe që u thotë : Se kemi nevojë vetëm për kasapë në Devoll dhe druvarë në Martanesh.

Se në Dibër shohin histerike që flasin nga tribuna para një turme që i duartroket në mënyrë robotike !

Me durim duhet t’i motivojmë. Kjo është detyra jonë. Frika është se mos i ngopim me lugë të zbrazët!

Nëse dikush i sheh këto të ekzagjeruara, pranoj t’i bëhem kurban!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Më të klikuarat

Copyright © 2016 tvkontakt.al

TV KONTAKT - Faqja zyrtare

To Top