Sport

Sadiku humbet ndeshjet me Lihtenshtejnin dhe Spanjën

sadiku

Armando Sadiku nuk do të jetë për dy ndeshjet e radhës së Kombëtares Kuqezi, ndaj Lihtenshtejnit në 6 tetor, dhe ndaj Spanjës 3 ditë më pas. Tashmë gjithçka konfirmohet zyrtarisht.

Ekzaminimet e detajuara mjekësore mëngjesin e kësaj të marte evidentuan nevojën që sulmuesi t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në meniskun e gjurit, çka e bën të pamundur impenjimin e tij për dy takimet e radhës.

Sadiku do t’i nënshtrohet operacionit në gju këtë të mërkurë por ajo që ka më tepër rëndësi është se për fatin e mirë të 25-vjecarit, nuk bëhet fjalë për diçka serioze pasi ndërhyrja në menisk nuk paraqet një problematike të komplikuar dhe koha e rikuperimit nëse gjithçka shkon sipas programit pritet të jetë vetëm dy javë, çka do të thotë se Sadiku do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Izraelin që do të luhet në 12 nëntor.

Shqipëria humbet kështu për dy takime të rëndësishme sulmuesin më në formë të momentit, me Sadikun që është ngjitur në krye të hierarkisë së sulmuesve falë golave të tij vendimtarë me Rumaninë në Euro 2016, si dhe ndaj Maqedonisë në takimin e parë të kualifikueseve të Botërorit “Rusi 2018”.

Mungesa e tij rëndon më tepër po të merret në konsideratë se në këto dy takime De Biasi nuk do të ketë në dispozicion as Rey Manajn të cilit i duhet të qëndrojë të paktën 10 ditë pushim, pas dëmtimit që pësoi në sfidën e Pescarës me Kievon të shtunën e kaluar në Serie A.

Aktualisht nga futbollistët e grumbulluar trajneri i Kombëtares ka në dispozicion për sa i përket repartit të sulmit Sokol Cikalleshin, Bekim Balajn dhe Azdren Lullakun.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Më të klikuarat

Copyright © 2016 tvkontakt.al

TV KONTAKT - Faqja zyrtare

To Top