Kulturë

Përmbushet amaneti i Konicës, 270 libra të tij i dhurohen Bibliotekës Kombëtare në Tiranë

  • 63448
  • 63448

63448Për herë të parë në Shqipëri vijnë disa prej librave origjinalë të Faik Konicës. Prezantimi u bë sot në Bibliotekën Kombëtare, ku u hap ekspozita “Identiteti Kombëtar dhe Diaspora”, dhe ku nëpërmjet librave, botimeve, dhe dorëshkrimeve  pasqyrohet historia dhe jeta e diasporës ndër vite. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, morën pjesë në këtë aktivitet  ku gjatë fjalës së tyre e vunë theksin te bashkëpunimi institucional që nevojitet, për të çuar përpara projektet e tjera kulturore dhe historike.

Një pjesë e botimeve të Faik Konicës tani janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare, duke plotësuar kështu një prej amaneteve të shkrimtarit të madh. Janë 270 libra që i bashkohen pjesës tjetër të trashëgimisë sonë. Kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Kulturës si dhe me ndihmën e Agron Alibalit, i cili vendosi t’ja besojë librat e Konicës, Bibliotekës shqiptare.

“Mbajtëm një premtim publik që të sillnim në Shqipëri një thesar të jashtëzakonshëm që është biblioteka e Faik Konicës, e ruajtur falë diasporës, e promovuar falë diasporës, e bëmë të mundur sjelljen e këtij thesari i cili nuk do të realizohej nëse nuk do të ishte bashkimi i të gjitha forcave,” tha ministrja Kumbaro në hapjen e ekspozitës “Identiteti Kombëtar dhe Diasporat”, në Bibliotekën Kombëtare.

Janë qindra libra, revista, dëshmi dhe dokumente të arkivuara, të cilat të kthejnë pas në kohë për të njohur historinë dhe jetën e diasporës shqiptare. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, vlerësoi lart rolin e patjetërsueshëm të diasporës, ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Kemi mundësi për të kuptuar që kjo botë e ndërlidhur, pavarësisht se ne flasim shumë sot për botën e ndërlidhur dhe botën dixhitale, ka ekzistuar që në krye të herës dhe copëza të ndryshme të diasporës sonë kudo që kanë qenë, kanë një kontribut të vyer sa i përket formësimit të identitetit tonë kombëtar,” tha ministry Bushati.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Samitit të Diasporës që do të mbahet këto ditë në Tiranë.

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Më të klikuarat

To Top