Lajme

Kuici i Ramazanit në Radio Kontakt, udhëtim në Haxh edhe për vendin e dytë

14247967_10206845483446944_170232956_o

 

 

14215251_10206845340763377_1772876646_o

Mes rreth 400 besimtarëve që janë nisur drejt tokës së shenjtë për të kryer një nga ritet më të rëndësishme të fesë Islame, kryerjen e Haxhit, është edhe Fluturim Nela, mjeku 34-vjeçar nga Tirana. Fluturimi ka qenë një ndër pjesëmarrësit e kuicit të Ramazanit, zhvilluar në Radio Kontakt, ku shumë besimtarë testuan njohuritë, por njëkohësisht mësuan më shumë rreth fesë islame. Fluturimi u rendit në vendin e dytë, me vetëm një pikë diferencë, nga fituesja e vendit të parë Afërdita Qamili, e cila gjithashtu ndodhet në Mekë, mes mijëra pelegrinëve nga e gjithë bota.

Radio Kontakt si shpërblim për përkushtimin dhe në shenjë vlerësimi për njohuritë e demonstruara nga Fluturimi, gjatë pjesëmarrjes në kuicin e Ramazanit, vendosi që për herë të parë t’i mundësojë edhe vendit të dytë udhëtimin drejt Haxhit, një ëndërr dhe dëshirë e çdo myslimani. Kushdo që e ka provuar dhe shijuar ritualin e Haxhit ka përjetuar një qetësi shpirtërore të pakrahasueshme.

Ka qenë një befasi e bukur për Fluturimin ky lajm dhe emocionet kanë qenë të shumta për të. Në një intervistë pak para nisjes, Fluturimi na ka rrëfyer se ka qenë një surprizë e veçantë, një plotësim i lutjeve që ai ka bërë për vite më radhë, ndërsa ka falënderuar edhe radio Kontakt që  ia realizoi këtë ëndërr.

Si e pritet lajmin që Radio Kontakti  ju përzgjodhi edhe juve për të shkuar në pelegrinazhin e haxhit?

Lajmi ishte një surprizë e këndshme, e papritur, një emocion i rrallë, një plotësim i lutjeve te shpeshta që kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve që jam praktikant i fesë islame. Gjithnjë më ishte krijuar një bindje e fshehtë se do ta vizitoja Qaben. Kisha në zemër një qetësi dhe shpresë që i Madhi Zot do të më bënte prej haxhinjve dhe mysafirëve të tij në vendin më të shenjtë të rruzullit. Gjej rastin t’ju falënderoj me përzemërsi për përzgjedhjen që më keni bërë, duke më përfshirë në këtë udhëtim jete. Zoti ua shpërbleftë, ashtu si Ai di, për këtë mirësi të madhe. Ju jam mirënjohës dhe ju premtoj se do t’ju kujtoj në dua inshaAllah. Allahu ju ndihmoftë në çdo aspekt të karrierës, të ecurisë së radios, të sukseseve, të afirmimit dhe paçi çdo të mirë në jetë,  veçanërisht drejtuesit dhe stafin juaj profesionist.

E kishit menduar se ky udhëtim do të ishte kaq i afërt për ju?

Kisha menduar gjithnjë me llogaritë e mia modeste njerëzore qe ky udhëtim mund te ishte i largët, i shtyre në kohë tjetër, kur te kishim vendosur “punët për vijë”, siç i themi ne. Por, ja që surprizat janë të mundura, që njerëz të mirë që na rrethojnë të na japin të tilla sihariqe, të bëhen sebep që ëndrrat tona të largëta t’i afrojnë e të bëhen të mundura. Atëherë kur i kisha humbur krejtësisht shpresat, pasi nuk arrita të fitoja vendin e parë në kuicin e zhvilluar gjatë Ramazanit në radio Kontakt, pikërisht atëherë më vjen një telefonatë dhe më njofton se për shkak të diferencës shumë të ngushtë me pikë me vendin e parë do të shkoja edhe unë në haxh.

Si e përfytyroni udhëtimin për haxh?

Udhëtimi për të kryer haxhin është një udhëtim drejt të panjohurës së bukur! Vizita në Qabenë e shenjtë dhe në rrethinat e saj, vendet e shenjta, vendet ku çdo Profet dhe i Dërguar i ka vizituar dhe e ka adhuruar Allahun e Lartësuar, vendi ku madhërohet njëshmëria e Krijuesit, gjithçka është shumë emocionuese. Përshkrimi me fjalë është i mangët dhe shprehja e emocioneve është e papërshkrueshme. Çdo besimtar ëndërron, lutet dhe shpreson të jetë prej vizitorëve dhe mysafirëve të Qabesë së shenjtë, të jetë prej haxhinjve dhe mbi të gjitha, të jetë prej atyre që u pranohet ibadeti në atë vend dhe të arrijnë faljen e Allahut te Lartesuar.

 Çfarë përfaqëson për ju ky këtë rrugëtim?

Ky udhëtim ka veçori specifike sepse bëhet në ditët më të shenjta, të cilat i ka cilësuar Allahu xh.sh. si të tilla, këtu plotësohet një nga shtyllat e Islamit, në këto ditë çdo adhurim ka vlerë të madhe tek Zoti. Kurbani që bëhet për Zotin, namazet, veprat e mira, duatë e të tjera frymëzojnë besimtarin, që të afrohet me Zotin, të jetë i dobishëm për njerëzit, të jetë ftues për mire, kupton shumë vlerën e durimit, vëllazërimit përkundër diversitetit etnik, kulturor apo social. Është një dimension i ri në jetën e besimtarit dhe sigurisht i tillë do të jetë edhe për jetën time.

Cilat janë dobitë e këtij udhëtimi?

Dobitë janë të sferës shpirtërore, por jo vetëm. Haxhi dhe kompleksiteti i adhurimeve në këto ditë, e bëjnë besimtarin të kryeje disa adhurime, të cilat kanë vlerë të madhe dhe për dikë bëhen vetëm një herë në jetë. Ne shpresojmë të jemi vizitorë jo vetëm të njëhershëm. E gjithë larmishmëria e tyre dhe vlera që kanë ditët e shenjta të këtij muaji hënor janë një hap i rëndësishëm drejt devotshmërisë, sinqeritetit ndaj Krijuesit, janë mësime që merren dhe mbresa që mbeten të pashlyeshme në jetë. Shpresa që vepra të tilla të afrojnë me faljen nga Zoti, të përmirësojnë si besimtar, të japin një kuptim të plotë të jetës dhe në bazë të sinqeritetit të çdokujt dhe udhëzimit profetik, njeriu shpreson në faljen dhe mëshirën e Allahut dhe në arritjen e kënaqësisë së Tij. Lus Zotin që të gjithë besimtareve t’u pranohet Haxhi dhe te gjitha adhurimet.

Intervistoi: Silva Hyseni

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Më të klikuarat

To Top