Politikë

Bushati: Hapja e negociatave, shpresat i kemi varur tek KE

ditmir_bushati_afp_main

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për Zërin e Amerikës nga SHBA, ku dhe po zhvillon një vizitë zyrtare, tha se samiti i parë i diasporës që do të mbahet në Tiranë synon krijimin e një dokumenti strategjik për Shqipërinë.

Bushati shpjegoi se diaspora nuk duhet parë e ndarë nga Shqipëria, por si një potencial i madh për të dhënë ndihmesë për vendin e tyre.

Gjatë intervistës, Bushati dha përgjigje në lidhje edhe me ligjin mbi importimin e mbetjeve, i cili kaloi dje gjatë seancës plenare, duke nënvizuar se ligji është i ndryshuar dhe nuk është ligji para 3-viteve më parë.

I pyetur për rekomandimet e Komisionit Evropian për sa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Bushati tha se “janë të gjitha arsyet, të gjitha kushtet, që Komisioni Evropian gjithashtu t’i qëndrojë angazhimeve dhe qëndrimeve, që ka me Shqipërinë”.

“Unë jam shpresëplotë që në vjeshtën e këtij viti Komisioni Evropian do të dalë me një rekomandim për sa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar stadin e reformave dhe faktin, që Shqipëria ka bërë një reformë të gjerë në sistemin e drejtësisë, që u iniciua me ndryshimet kushtetuese, me ligjin për vettingun dhe me ligjet e tjera, që do të miratohen së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Po kështu ne kemi ecur dhe po punojmë paralelisht me shërbimet e Komisionit Evropian dhe me qeverinë e SHBA-ve, me Këshillin e Europës për të ndërtuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilat pritet të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve shqiptarë por edhe të ndihmojnë në kursin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është një vend që projekton stabilitet demokratik në rajon, është një vend që në 100 për qind ka vijëzuar politikën e vet të të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Ndaj janë të gjitha arsyet, të gjitha kushtet, që Komisioni Evropian gjithashtu t’i qëndrojë angazhimeve dhe qëndrimeve, që ka me Shqipërinë. Një seri personalitetesh të larta e kanë vizituar Shqipërinë dhe konfirmojnë këtë që unë sapo thashë”, deklaroi ai.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Më të klikuarat

Copyright © 2016 tvkontakt.al

TV KONTAKT - Faqja zyrtare

To Top