Bota

A po perëndon epoka e Angela Merkelit?

merkel 2

“Perëndim kancelareje”, “Sa shuplaka mund të durojë ende Merkeli?” “Disfatë në zgjedhje për Merkelin” – me këto tituj gazetash nisi kjo javë. Prej muajsh ka herë pas here momente, në të cilat duket se mandatit të Merkelit si Kancelari po i vjen fundi: pas fjalisë së saj të debatueshme “do t’ia dalim mbanë” të një viti më parë dhe strehimeve të refugjatëve që u përfshinë nga flakët, pas natës së Vitit të Ri, në të cilën refugjatët ngacmuan seksualisht dhe grabitën gratë, pas atentateve në Würzburg dhe në Ansbach, të cilat i ushtruan azilkërkues. Dhe megjithatë Merkeli vazhdon të jetë Kancelare Federale. Edhe qëndrimit të saj për çështjen e refugjatëve ajo vazhdon t’i përmbahet.

Natyrisht që rezultati i zgjedhjeve në landin e Meklenburg-Forpomeranisë është një shuplakë e rëndë për CDU-në. Natyrisht që suksesi i Alternativës për Gjermaninë (AfD), të përfaqësuar tani në nëntë nga 16 parlamentet e landeve të Gjermanisë duhet t’i bëjë të mendohen partitë tradicionale. Një parti demokratike djathtas partive unioniste nuk duhet të ekzistojë – kjo ishte prej kohësh linja kryesore e CDU/CSU-së. Me AfD tani ka zënë vend një parti e tillë. Natyrisht që fajin për këtë e ka edhe politika e Merkelit ndaj refugjatëve – në verën e vitit 2015 Kancelarja mori një vendim.

Ajo nuk ua mbylli rrugën refugjatëve që kishin ngecur në Hungari duke i dhënë partisë së saj një kockë të fortë për të gëlltitur. Që një vendim me pasoja të gjera sjell me vete edhe probleme me pasoja të gjera, kjo vetëkuptohet. Edhe që kjo nuk i bind të gjithë në CDU, kjo nuk të habit.

CDU-ja, duke përfshirë edhe Kancelaren duhet t’i shikojë zgjedhjet në Meklenburg-Forpomerani si thirrje: jo për të ndërmarrë një kthesë të politikës së saj, por për të demonstruar qëndrim dhe për t’i vënë në tryezë faktet: që në vitin 2016 në Gjermani vijnë shumë më pak refugjatë, që vitin e kaluar u regjistruan gati një milion refugjatë dhe janë strehuar në komuna.

Do të bënin mirë që t’i komunikonin edhe problemet dhe të pranonin edhe gabimet – tek integrimi, tek marrëveshja e refugjatëve me Turqinë dhe që kriza e refugjatëve nuk ka marrë fund. Sepse ja që realiteti nuk është bardh e zi, siç ka dëshirë ta vizatojë atë AfD. Më pak oportunizëm politik dhe më shumë të vërteta – ndoshta këtë zgjedhësit do të dinin t’i vlerësonin.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Më të klikuarat

Copyright © 2016 tvkontakt.al

TV KONTAKT - Faqja zyrtare

To Top